Messi ishte afër Man City-t në vitin 2008
BKT
Sport

Messi ishte afër Man City-t në vitin 2008

F.B/RTKLive

Lionel Messi dhe Manchester City – një histori që sot tingëllon si fantazi futbolli, por që për një moment shumë të shkurtër, në verën e vitit 2008, ishte realisht mbi tavolinë.

Një ofertë e papritur për yllin argjentinas u bë nga klubi anglez, shumë përpara epokës së artë të sheikut Mansour.

Historia është rikthyer në vëmendje nga Mark Boëen, asistent i trajnerit Mark Hughes në atë periudhë, i cili ka rrëfyer prapaskenat në podkastin Business of Sport. Boëen përshkroi një Manchester City ende në kërkim të identitetit dhe ambicies së madhe, por me një strategji transferimesh më shumë impulsive sesa të strukturuar.

“Ishte pothuajse fundi i afatit kalimtar dhe Gary Cook i tha Mark Hughes se pronarët donin të bënin diçka të madhe”, kujton Boëen.

“Në atë moment po bënim oferta prej rreth 30 milionë eurosh për emra të mëdhenj: Berbatov, Robinho, Ribéry… I hidhnim ofertat nëpër Evropë për të parë kush do ta pranonte”.

Mes kësaj vale ofertash, ndodhi e paimagjinueshmja. Gjatë një eventi në Londër, presidenti i Barcelonës bëri publik faktin se Manchester City kishte paraqitur një ofertë prej 30 milionë eurosh për Lionel Messin. Lajmi shkaktoi tronditje dhe reagimi i klubit katalanas ishte i menjëhershëm dhe kategorik: një refuzim i prerë.

Në atë kohë, Messi ishte tashmë një nga talentet më të ndritura në botë dhe konsiderohej i paprekshëm për Barcelonën. Çdo ide largimi ishte jashtë diskutimit.

Në fund, Manchester City e mbylli atë afat kalimtar me transferimin e Robinhos, duke shënuar fillimin e një faze më ambicioze në treg, ndërsa më pas do të vinin edhe figura që do të bëheshin ikonike për klubin, si Vincent Kompany.

Megjithatë, oferta për Messin mbetet një nga episodet më intriguese dhe mitike të historisë së transferimeve: një tentativë pothuajse aksidentale që, po të ishte pranuar, mund të kishte ndryshuar rrënjësisht historinë e futbollit modern.