Spiropali në Shkup: Faktori shqiptar urë ndërlidhëse me Shqipërinë
BKT
Lajme

Spiropali në Shkup: Faktori shqiptar urë ndërlidhëse me Shqipërinë

RTKLIve

Ministrja shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit në një takim nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushën e ekonomisë dhe investimeve. Por gjithashtu edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Spiropali shkruan se partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve do të vijojë të forcohet dhe se faktori shqiptar në RMV është një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegrues, transmeton RTSH.

“Me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një frymë bashkëpunimi dhe dialogu të hapur. Partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet, me fokus të qartë te projekte dhe rezultate konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe afrojnë më tej dy shoqëritë. Ritheksova se faktori shqiptar në RMV është jo vetëm një komunitet shtetformues i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por edhe një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese”, deklaron Spiropali.

Ndërkaq në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi se, kjo mbështetje nuk buron vetëm nga fqinjësia dhe e ardhmja e përbashkët që ndajnë dy vendet, por edhe nga fakti se në Maqedoninë e Veriut jeton një komunitet shqiptar shtetformues, i cili sipas censusit të fundit përbën rreth 30 për qind të popullsisë.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një faktor progresist, qartësisht pro-evropian dhe vendimtar për stabilitetin demokratik dhe orientimin euro-atlantik të vendit”, u shpreh ministrja.

Spiropali nënvizoi se në klimën aktuale gjeopolitike, ku ndikimi i aktorëve të tretë është në rritje dhe kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më agresive, roli konstruktiv i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre politikë, si në shumicë ashtu edhe në opozitë, mbetet jetik për vijimin e reformave dhe përparimin në rrugën evropiane.

Në këtë kontekst, ajo mirëpriti dhe inkurajoi zbatimin konsekuent të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një dokument paqeje dhe bashkëjetese, të garantuar ndërkombëtarisht.

“Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleat i të dy vendeve, si dhe presidentit Trump për përfshirjen e Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i cili mbron paqen, rendin demokratik dhe vetë Marrëveshjen e Ohrit”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një standard të barazisë reale në të drejta, përfaqësim dhe dinjitet.


MË SHUME NGA Lajme