Mbyllet protesta e PD-së para kryeministrisë në Tiranë
BKT
Shqipëri

Mbyllet protesta e PD-së para kryeministrisë në Tiranë

RTSH

Partia Demokratike (Shqipëri) zhvilloi këtë të hënë një protestë përballë Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tubimi u shoqërua me momente tensioni pas fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, kur protestuesit hodhën molotovë në drejtim të godinës qeveritare dhe tentuan të çajnë kordonin policor. Megjithatë, tensionet zgjaten vetëm disa minuta, ndërsa më pas protestuesit u tërhoqën, duke mos regjistruar të tjera incidente.

Në fjalën e tij, Berisha tha se PD është sot më e fortë se kurrë, ndërsa u shpreh i vendosur për të vijuar me aksionin për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Mblidhemi në një moment kritik, ndoshta si kurrë më parë, sepse Edi Rama, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, del se ka vendosur të  bëhet multimiliarder me pasuritë tuaja publike. Ka vendos veten mbi ligjin mbi Kushtetutën. Nga sonte, Edi Rama nuk do njihesh më kurrë në Shqipëri dhe botë dhe si kryeministër, por si kapobandë. Pasi shndërroi zgjedhjet në një farsë, ai, në një revansh të paparë, bëri gjithçka që t’i mbyllë çdo hapësirë opozitës. Ai mendoi se projekti e tij Shqipëria pa opozitë tani do ta realizojë. Por ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë për të përmbysur këtë narkodiktaturë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, largimi i kryeministrit Rama nuk do të vijë përmes votës, por nga qytetarët.

“Edi Ramën do ta heqim ne, populli opozitar. Askush të mos ketë iluzion se Edi Rama ikën me votë, kurrë! do të jenë qytetarët, idealistët, guximtarët ata që do të hedhin Edi Ramën në banesën e turpit të historisë. Mjerë ata që i japin zemër me gënjeshtra Edi Ramës. Ja ku është opozita. Opozita, disa detyrime të mëdha që i kishte para  jush i ka bërë. Opozita i dëshmoi botës e çfarë përfaqëson narkoshteti shqiptar. i faktoi botës sesi Edi Rama shndërroi në farsë votën tuaj. Të gjitha këto ishin të domosdoshme dhe kanë një mesazh: Në këmbë shqiptarë në misionin historik për të larguar Edi Ramën, për të shpëtuar demokracinë. Ne do bëjmë atë ‘ja do vdesim, ja do rrojmë për liri’. Dijeni mirë se kur ne kemi dalë me këtë motiv, kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar  dhe do fitojmë. Edi Rama, sheshi është i yni, nuk do të ndahemi. Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë,” tha ai.

Berisha konfirmoi se Partia Demokratike është e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor dhe forcë politike për të krijuar një front më të gjerë opozitar.

“Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, çdo opozitar, çdo guximtar të bashkohet në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet. PD e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë”, u shpreh Berisha.

Policia e Shtetit kishte angazhuar rreth 1400 efektivë, përfshirë forcat RENEA, Shqiponja dhe FNSH, ndërsa rreth godinës së Kryeministrisë ishte vendosur një gardh metalik për të mbajtur distancë mes protestuesve dhe kordonit policor.

Ndërkohë, lëvizja “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj, e cila më herët ishte vendosur pranë Kryeministrisë, u spostua përkohësisht dhe nuk iu bashkua protestës së PD-së.

Kjo protestë e PD-së vjen pas 5 foltoreve të zhvilluara në javën e fundit përballë kryeministrisë, çdo ditë të hëne. PD kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.


MË SHUME NGA Shqipëri