KMLDNJ reagon për shtrenjtimin e energjisë elektrike, kërkon hetim
BKT
Lajme

KMLDNJ reagon për shtrenjtimin e energjisë elektrike, kërkon hetim

M.P. / RTKlive

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se po abuzohet ekonomikisht me qytetarët e Kosovës përmes faturave të energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor, duke e quajtur rritje çmimi i pa besueshëm e justifikueshëm. Tutje ata kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë punën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

KMDLNJ-ja ka thënë se ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët, të cilët raportojnë se faturat e dhjetorit janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak. 
“KMDLNJ-ja vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.

Organizata ka akuzuar ZRRE-në për veprime kundër interesit të qytetarëve, duke thënë se ata kanë fryrë faturat në kundërshtim me ligjin. Sipas KMDLNJ-së, këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor që ka konstatuar diskriminim të qytetarëve në baza etnike dhe politike, pa pasuar kompensim për dëmet e shkaktuara.

Po ashtu, KMDLNJ-ja vlerëson se mbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRRE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për situatën aktuale, duke e identifikuar si pjesë të procesit të varfërimit të qytetarëve.

Në reagim shprehet shqetësim edhe për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshime të bazuara për korrupsion që, sipas KMDLNJ-së, përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë. Licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike nxit dyshime serioze për korrupsion institucional të mirëplanifikuar”, thuhet në reagim, duke veçuar si alarmante dhënien e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë një shtetasi serb, Vuk Hamoviq.

KMDLNJ-ja ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë punën e ZRRE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj, dhënien e licencave monopolizuese, proceset e licencimit me baza nepotiste e politike, vendosjet politike në pozita kyçe si dhe të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.


MË SHUME NGA Lajme