Vërshimet bllokojnë rrugë në Malishevë, gjendje e jashtëzakonshme/Video
BKT
Lajme

Vërshimet bllokojnë rrugë në Malishevë, gjendje e jashtëzakonshme/Video

Zenel Hajrizi|RTK

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në komunën e Malishevës, duke bllokuar pjesë të infrastrukturës rrugore, ekonomi familjare dhe biznese. Si pasojë e situatës së krijuar, Komuna e Malishevës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas autoriteteve komunale, disa rrugë dhe zona urbane janë bërë të pakalueshme, ndërsa hyrje-daljet e qytetit janë vështirësuar ndjeshëm. Edhe parkingjet dhe hapësirat publike janë përmbytur, duke penguar qarkullimin normal të qytetarëve dhe automjeteve.

Reshjet që kanë filluar që në orët e hershme të mëngjesit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pasuri private dhe publike, veçanërisht në pikat më të ulëta të qytetit, të cilat konsiderohen edhe zonat më të rrezikuara nga vërshimet.

Qytetarët e prekur shprehen të shqetësuar për pasojat ekonomike. Ata thonë se dëmet janë të mëdha dhe se nëse reshjet vazhdojnë, situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Disa pronarë biznesesh kanë ngritur shqetësime për mungesë të kompensimit nga rastet e mëparshme të vërshimeve, duke kërkuar përgjegjësi institucionale.

Zyrtarët komunalë bëjnë të ditur se ekipet emergjente janë në terren dhe po ndërhyjnë aty ku është e mundur, ndërkohë që situata po monitorohet edhe në pjesët e tjera të komunës.

Zyrtari për informim i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi, ka deklaruar se gjendja paraqitet e rënduar për shkak të prezencës së ujit në disa rrugë që janë të bllokuara ose me vështirësi të mëdha në qarkullim. Ai theksoi se rrugët Prishtinë–Malishevë dhe Malishevë–Rahovec janë të lira për qarkullim, ndërsa rrugët e tjera kanë vështirësi kalimi.

Sipas Paqarizit, janë evidentuar dëme edhe në ekonomi familjare, ku uji ka depërtuar brenda objekteve të banimit, ndërsa ekipet komunale kanë intervenuar në gjashtë raste për evakuimin e banorëve.

Aktualisht, situata vlerësohet si e menaxhueshme, ndërsa qytetarët po orientohen të përdorin rrugë alternative. Komisionet komunale kanë nisur evidentimin e dëmeve, të cilat më pas do t’i procedojnë për kompensim në Qeverinë e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme