Numërimi i votave drejt fundit, LDK rikthen ulësen e 15-të, PDK bie në 22
BKT
Lajme

Numërimi i votave drejt fundit, LDK rikthen ulësen e 15-të, PDK bie në 22

V.S|RTKlive

Derisa numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit po shkon drejt fundit, ‘lufta’ mes Partisë Demokratike të Kosovës e Lidhjes Demokratike të Kosovës për një ulëse ka vazhduar.

Kjo e fundit ka arritur sërish të rikthejë ulësen e pesëmbëdhjetë në Kuvendin e Kosovës, të cilën ia kishte rrëmbyer Partia Demokratike.

Tash kur LDK-ja u rikthye në 15 mandate në Kuvend për legjislaturën e 10-të, PDK-ja ka rënë në 22, nga 23 sa kishte kur ia kishte rrëmbyer LDK-së një ulëse kuvendare dje.

Ndryshimi në ndarjen e ulëseve erdhi pasi numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme po i afrohet 99 përqindëshit, e kanë mbetur për t’u numëruar vetëm edhe 35 kuti votimi.

Bazuar në rezultatin e fundit, Lëvizja Vetëvendosje që aktualisht ka 57 ulëse, ka arritur në 50. 83 për qind të votave, PDK-ja si e dyta me 22 ulëse aktualisht, ka 20, 34 për qind të votave, LDK-ja me 15 ulëse aktualisht, ka 13, 28 për qind të votave, ndërsa AAK-ja me 6 ulëse, ka 5, 51 për qind të votave në total.

Në konferencën e sotme për media, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në numërimin e pjesës së fundit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës dhe njëkohësisht, siç tregoi ai, përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Tregoi se aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.

Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, Elezi tha se KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar, por, shpjegoi se bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme ata duhet të presin për ndonjë ankesë eventuale në administrimin e numërimit në QNR, para se të dalin me rezultatet përfundimtare.


MË SHUME NGA Lajme