Durmishi: Gjendja e përmbytjeve nën monitorim, dëmet po minimizohen
E.H/RTKlive
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se gjendja në shumicën e komunave ka qenë e rënduar, por situata është duke u normalizuar. Sipas tij, reshjet e shiut kanë qenë më të pakta sot, ndërsa të gjitha institucionet përgjegjëse po monitorojnë situatën në kohë reale.
Në një lidhje direkte për "RTK Prime", Durmishi tha se Kosova mbetet një zonë e rrezikuar nga përmbytjet dhe vërshimet. “Ky vit ka sjellë reshje më të shumta shiu sesa bore, duke reflektuar një zhvendosje të normales sezonale që po ndodh në të gjithë Evropën”, tha ai .
Durmishi tha se ministria e Infrastrukturës ka kaluar tashmë nga faza e reagimit emergjent në menaxhimin e rrezikut. Janë identifikuar 398 zona me rrezik për përmbytje, prej të cilave 108 me rrezik ekstrem, 95 me rrezik shumë të lartë dhe 195 me rrezik të lartë. Po ashtu, 491 kilometra lumenj janë të ekspozuar ndaj përmbytjeve.
“Falë rrjetit modern të monitorimit në kohë reale, paralajmërimet për përmbytje bëhen shumë më herët, duke na mundësuar të ndërhyjmë dhe të minimizojmë dëmet,” tha ministri në detyrë.
Mes tjerash, Durmishi deklaroi se Kosova tashmë ka ndërtuar një sistem të avancuar për monitorimin e situatës hidrologjike dhe meteorologjike, me qëllim parandalimin dhe menaxhimin e përmbytjeve.
Sipas tij, deri më tani janë ndërtuar 23 stacione meteorologjike, 36 stacione të reshjeve, 34 stacione hidrometrike dhe 40 pika për monitorimin e ujërave nëntokësore.
“Sot, të gjitha pellgjet lumore në Kosovë monitorohen përmes sensorëve në kohë reale”, tha Durmishi, duke shtuar se është përfunduar edhe harta e rrezikut nga përmbytjet në nivel vendi.
Ministri në detyrë njoftoi se ka filluar edhe rregullimi i shtretërve të lumenjve në Kosovë, duke theksuar se problemi kryesor sa i përket vërshimeve lidhet me degradimin e lumenjve, ndërtimet pa leje dhe hedhjen e mbeturinave në mënyrë të pakontrolluar.
Duke folur për situatën aktuale në terren, Durmishi tha se institucionet po bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u dalë në ndihmë komunave.
“Aktualisht, të gjitha rrugët janë të kalueshme. Ka disa zona ku është grumbulluar ujë për shkak të bllokimit të kanaleve të kullimit, por ekipet janë vazhdimisht në terren për t’i zhbllokuar ato”, u shpreh ai.
Durmishi shtoi se në disa vende ka pasur rrëshqitje gurësh dhe dheu, ndërsa kompanitë e mirëmbajtjes janë duke punuar pa ndërprerje për të siguruar që secila rrugë të mbetet e kalueshme.























