Zjarr masiv në magazinë te `5 Majit` në Tiranë
RTKlive
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme një magazinë të rrobave të përdorura në zonën industriale dhe tregtare përgjatë rrugës “5 Maji” në Tiranë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, kryesisht tekstile, flakët u përhapën me shpejtësi dhe përfshinë dy kapanone. Pas disa orësh ndërhyrjeje intensive, forcat zjarrfikëse arritën ta vendosin zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në objektet e tjera përreth.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e zjarrit në zonat e banuara dhe se, për fat të mirë, nuk ka persona të lënduar. Ajo theksoi se shuarja e plotë do të kërkojë kohë për shkak të perimetrit të gjerë të zonës së përfshirë, ndërsa magazinat janë djegur, por bizneset përreth janë shpëtuar.
Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vlerësoi angazhimin e tyre, duke theksuar se zjarrfikësit e Komandës së Forcës Tokësore janë në vijë të parë në përballimin e situatës.
Zjarri është aktualisht nën kontroll sa i përket perimetrit, ndërsa operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon. / Burimi: RTSH























