IKSHPK monitoron cilësinë e ujit
BKT
Lajme

IKSHPK monitoron cilësinë e ujit

Arbana Hajredinaj/RTK

Si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike ditëve të fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale ka intensifikuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në gjithë vendin. Për momentin ka fabrika për trajtimin e ujit që janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe, por në shumë rajone cilësia e ujit është brenda standardeve.

Pas reshjeve të shtuara të shiut dhe vërshimeve të ditëve të fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka intensifikuar monitorimet e cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e vendit. Analizat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizimit, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, kanë nxjerrë jashtë funksionit fabrikën për trajtim të ujit në Shkabaj dhe Bivolak, për shkak të turbullirave të mëdha.

Ndërkohë, fabrika e ujit në Badoc dhe Batllavë, funksionojnë normalisht, e sipas Institutit cilësia e ujit është brenda standardeve. Ndërkohë në rajonin e Mitrovicës uji përdoret vetëm për nevoja teknike, Kompania Rajonale e ujësjellësit nënvizon se parametrat janë në rregull, megjithëkëtë pritet verifikimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Jemi duke punua me kapacitet të plotë në tri impiantet tona. Komplet zona e shërbimit është duke u furnizua me ujë, potencialisht ndonjë prishje teknike për shkak të ngricave, por që ekipet tona janë në terren prej mëngjesit janë duke i sanuar problemet edhe besoj se gjithçka do të jetë së shpejti në rregull. Uji nga Kanali po, është në nivel, është pak i ngritur por është i menagjueshëm për neve, nuk na paraqet telashe, me rëndësi është që kemi ujë të mjaftueshëm edhe kemi furnizim të mirë për qytetarët”,  tha Bashkim Kurti,  nga KRU “Mitrovica” .

 Uji brenda standardeve raportohet se është në rajonin e Prizrenit, Suharekës e Dragashit, në qytetin e Gjilanit, Pejë dhe Istog, ndërkohë për nevoja teknike mbetet uji në Malishevë, Kamenicë, Viti, Deçan, Junik dhe Klinë.


MË SHUME NGA Lajme