Moti në Shqipëri i paqëndrueshëm, shi dhe borë në disa zona
RTKlive
Sot, territori i Shqipërisë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Reshje të dobëta shiu parashikohen në qarqet Kukës, Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë të pakta ose lokalisht të dobëta.
Në zonat veriore, lindore dhe juglindore, në lartësi mbi 600 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë bore, duke krijuar kushte tipike dimërore, sidomos në zonat malore.
Sa u përket temperaturave, Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se ato do të jenë të ulëta. Në zonat bregdetare, temperaturat minimale dhe maksimale do të variojnë nga 0 deri në 5 gradë Celsius. Në zonat e ulëta, minimalet pritet të zbresin deri në -3 gradë, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 5 gradë Celsius. Në zonat malore, temperaturat do të jenë edhe më të ulëta, me vlera minimale deri në -10 gradë dhe maksimale rreth -1 gradë Celsius.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat malore herë pas here do të jetë mesatare deri e fortë.























