Hykmete Bajrami kërkon dorëheqjen e Abdixhikut dhe ofron dorëheqjen e saj
N.Mekolli /RTKlive
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në një postim në Facebook ka bërë të ditur vendimin e saj për të kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe ka ofruar dorëheqjen e saj nga pozita e Nënkryetares.
Bajrami ka theksuar se ky veprim është në përputhje me standardet e vendosura nga LDK-ja vetë dhe se çdo rezultat i dobët zgjedhor duhet të shoqërohet me përgjegjësi politike. “Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shtuar se sfida kryesore për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit te një parti e një person dhe se LDK-ja duhet të vazhdojë të jetë mbrojtëse e shtetit, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Bajrami thekson se lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin dhe se zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme për reflektim dhe për të garantuar të ardhmen e partisë.
“Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bajrami, duke falënderuar gjithashtu qytetarët që i kanë besuar angazhimin e saj politik.























