Kuvendi i Shqipërisë nis punimet, PD bllokon foltoren
BKT
Shqipëri

Kuvendi i Shqipërisë nis punimet, PD bllokon foltoren

ATSH

Kuvendi nis punimet në sesionin e dytë të legjislaturës, PD bllokon foltoren

Kuvendi nisi sot punimet për sesionin e dytë të Legjislaturës XI. Seanca ka nisur me përplasje teksa deputetët e Partisë Demokratike, menjëherë pas përfundimit të Himnit Kombëtar, kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit edhe pse nuk iu dha fjala, akuzoi mazhorancën dhe qeverinë Rama për kapje të institucioneve.

Ndërsa kreu i Kuvendit Niko Peleshi mbante fjalën e hapjes së sesionit të ri, deputetët e PD-së u grumbulluan rreth Berishës në foltore.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi drejtoi akuza ndaj mazhorancës, teksa  Peleshi mbante fjalën.

Opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca.

Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka hedhur në votim pikat e rendit të ditës, duke mbyllur seancën.

Seanca votoi dy projektvendime të propozuara nga kryetari i grupit parlamentar të PS  Taulant Balla, për disa ndryshime të anëtarësisë në komisionet e përhershme parlamentare.

Kështu, u miratua projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit”,  “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” me 79 vota pro 2 kundër dhe 0 abstenim.

U miratua projektvendimi  për një shtesë dhe ndryshim në vendimin e Kuvendit “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit” me 81 vota pro 0 kundër, 0 abstenim.

Konferenca e kryetarëve miratoi sot më herët projektprogramin dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit, si dhe projektkalendarin e ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me Rregulloren.


MË SHUME NGA Shqipëri