Rama i përgjigjet ftesës së presidentit amerikan për Bordin e Paqes
Valmira Saraçi|RTKlive
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka bërë të ditur se i ka përcjellë presidentit amerikan, Donald Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Ai ka falënderuar presidentin amerikan për ftesën drejtuar atij dhe Shqipërisë për të shërbyer si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, derisa tha se së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
“Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes”, thuhet në fillim të letrës që Rama i ka kthyer si përgjigje presidentit Trump.
“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente”, thuhet tutje aty.
Përgjigjja e Ramës vijon duke thënë se kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.
“Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqendruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale. Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes”, shkroi Rama në përgjigjen e tij ndaj ftesës së Trumpit.
Kryeministri shqiptar e ka quajtur privilegj dhe nder ftesën, derisa ka shprehur gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje, që thotë se synon ta përkthejë vizionin në veprim.
Rama tutje shkroi se, Shqipëria ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global”, thuhet në përgjigjen e kryeministrit Rama ndaj ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump që të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të enjten formimin e “Bordit të Paqes” për Rripin e Gazës.






















