Ndotja dhe vërshimet, sfida të vazhdueshme për mjedisin në Kosovë
Sh.Gashi|RTKlive
E ftuar në programin e mëngjesit në RTK, në një lidhje të drejtpërdrejtë, Egzona Shala, drejtoreshë e organizatës “EcoZ”, foli për gjendjen aktuale të pastërtisë së mjedisit në Kosovë.
Shala theksoi se viti 2026 nuk ka sjellë përmirësim në gjendjen mjedisore.
“Fatkeqësisht, ky vit nuk na ka gjetur me një situatë më të mirë se vitet e kaluara. Përkundrazi, vitin e kaluar kemi pasur ndotje primare të shkaktuara nga faktori njeri, ndërsa këtë vit jemi përballur edhe me vërshime, të cilat krijuan një lloj vetëdijeje të dhunshme te qytetarët, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së tokës dhe ujit,” tha ajo.
Sipas Shalës, mjedisi në Kosovë vazhdon të varet nga mungesa e vullnetit politik.
“Aktualisht, gjendemi në një situatë ku mjedisi varet nga vullneti politik, ndërkohë që nuk shohim hapa konkretë për trajtimin e problemeve mjedisore. Kjo fillon nga menaxhimi i mbeturinave dhe shkon deri te gjendja alarmante e lumenjve, të cilët janë të ndotur nga mbeturinat, shfrytëzimet e pakontrolluara dhe mungesa e reagimit institucional, si në nivel lokal ashtu edhe qendror,” u shpreh Shala.























