RTK përkrahë AIP-në në fushatën për mbrojtjen e të dhënave personale
Medina Pasoma / RTKlive
Me rastin e nisjes së shënimit të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, drejtuesit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë mirëpritur delegacionin nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).
Krenare Sogojeva Dërmaku, komisionerja e AIP-së njoftoi drejtorin e Televizionit, Rilind Gërvalla për aktivitetet që do të mbahen në prag të Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e cila do të jetë më 28 janar.
“Fokusi këtë vit do të jetë te ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe të rinjve, rreth dhënies së mësimeve se si ata duhet të sillen në internet, ku nuk duhet t’i dhënë të dhënat e tyre personale. Andaj kjo fushatë e këto aktivitete na bën ta kemi përgjegjësinë neve si institucion në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, tha ajo.
Gërvalla në anën tjetër njoftoi delegacionin, i përberë edhe nga drejtoresha e kësaj Agjencie, Lumnije Demi se Radio Televizioni i Kosovës tash e një periudhë po zbaton Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e njëkohësisht premtoi përkrahje për Agjencinë për Informim dhe Privatësi, në fushatat e tyre për transmetimin e përmbajtjeve televizive të cilat për qëllim kanë rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me këtë çështje.
Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale shënohet çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale në epokën digjitale, duke theksuar përgjegjësinë e institucioneve dhe individëve për t’i përdorur dhe ruajtur ato në mënyrë të sigurt, ligjore dhe etike.

























