`Xhevdet Doda` mohon ligjëratë nga Specialja, zëdhënësi sqaron aktivitetin
BKT
Lajme

`Xhevdet Doda` mohon ligjëratë nga Specialja, zëdhënësi sqaron aktivitetin

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thotë gjimnazi, "disa informacioneve të pasakta" që po qarkullojnë në opinion, duke theksuar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë të Gjykatës Speciale. Ndërsa zëdhënësi i DSK-së, Michael Doyle, ka thënë për RTKLive se aktivitetet e gjykatës janë informuese dhe nuk përbëjnë ligjërata.

“Në lidhje me disa informacione të pasakta që po qarkullojnë, sqarojmë opinionin publik se nuk ka pasur asnjë ligjëratë të mbajtur nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e shkollës sonë,” thuhet në reagimin e shkollës.

Sipas gjimnazit, ligjërata ishte organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për ligjërata edukative në shkolla dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve. “Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ,” theksohet më tej.

Shkolla ka theksuar se çdo interpretim tjetër “që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar” dhe ka sqaruar se YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla dhe universitete në mbarë Kosovën.

Ndërkohë, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka konfirmuar për RTKLive se aktivitetet që kjo gjykatë zhvillon në Kosovë në kuadër të Programit të Outreach-it kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë ligjërata.

“Që nga viti 2018, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) organizojnë rregullisht aktivitete në mbarë Kosovën me grupe të ndryshme, përfshirë studentë, por edhe anëtarë të komuniteteve lokale, juristë, gazetarë dhe të tjerë, në kuadër të Programit të Outreach-it të Gjykatës”, ka deklaruar Doyle për RTKLive.

Ai ka theksuar se këto aktivitete synojnë informimin e publikut dhe përgjigjen ndaj pyetjeve të qytetarëve.

"Këto aktivitete nuk janë ligjërata, por ngjarje informuese. Qëllimi i tyre është të jemi të pranishëm në Kosovë dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të qytetarëve lidhur me punën e Gjykatës”, ka shtuar ai.

Sipas zëdhënësit, Programi i Outreach-it i DSK-së është i ngjashëm me praktikat e tribunaleve të tjera me seli në Hagë.

“Meqenëse gjykimet zhvillohen jashtë Kosovës, synimi është që qytetarëve t’u ofrohen informacione bazë mbi mandatin dhe aktivitetet e Gjykatës, të dëgjohen pikëpamjet e tyre dhe t’u jepet përgjigje pyetjeve që kanë. Informacioni i prezantuar është publik dhe i njëjtë me atë që gjendet në faqen zyrtare të internetit”, ka deklaruar Doyle.


MË SHUME NGA Lajme