Jon Kuka e Arba Hasanaj i sjellin Kosovës dy medalje të bronzta
Uran Krasniqi/RTKLive
Kosova ka arritur t`i marrë dy medalje të bronzta nga turneu Casablanca Cadet African Cup 2026, falë dy xhudistëve Jon Kuka dhe Arba Hasanaj, ka njoftuar Federata e Xhudos e Kosovës.
"Jon Kuka siguroi medaljen e bronztë pas një serie fitoresh bindëse. Në repasazh, ai e mposhti me Ippon xhudistin vendas El Mehdi Boudarham nga Maroku. Më pas, në luftën vendimtare për medalje, Jon Kuka triumfoi sërish me Ippon ndaj Ugo Marchiori nga Luksemburgu, duke e mbyllur turneun me sukses të madh. Medaljen e dytë të bronztë për Kosovën e fitoi Arba Hasanaj. Ajo në repasazh e mposhti me Ippon xhudisten marokene Rokaya Ghadfane, ndërsa në ndeshjen për medalje triumfoi ndaj Ivana Bebek nga Bosnja dhe Hercegovina me Wazaari", ka komunikuar FXHK.
Federata e Xhudos e Kosovës i ka përgëzuar të dy garuesit për paraqitjet e tyre dhe ka vlerësuar suksesin si dëshmi të vazhdimësisë së rezultateve pozitive të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.























