Manchester United mposht Arsenal në `Emirates`
BKT
Sport

Manchester United mposht Arsenal në `Emirates`

Uran Krasniqi/RTKLive

Manchester United ka shënuar një fitore të madhe në Premier League, duke e mposhtur Arsenal me rezultat 3-2 në stadiumin “Emirates”.

Kjo ka qenë humbja e parë në shtëpi këtë sezon për londinezët dhe fitorja e parë e United në këtë stadium në kampionat që nga viti 2017.

Arsenali e ka nisur ndeshjen më mirë dhe ka pasur dominim në minutat e para, por nuk ka arritur ta shfrytëzojë epërsinë në lojë.

Goli i parë ka ardhur pas një situate të paqartë në zonë, kur goditja e Martin Odegaard është devijuar në portën e vet nga Lisandro Martínez.

Manchester United ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar rezultatin pas një gabimi të mbrojtjes së Arsenal, të cilin e ka shfrytëzuar Bryan Mbeumo, duke shënuar për 1-1.

Në fillim të pjesës së dytë, United ka kaluar në epërsi. Patrick Dorgu ka realizuar një gol shumë të bukur nga distanca, pas bashkëpunimit me Bruno Fernandes, duke heshtur stadiumin “Emirates”.

Arsenal ka tentuar të rikthehet në lojë dhe ia ka dalë të barazojë në minutat e fundit me golin e Mikel Merino, pas një këndi të Bukayo Sakas.

Por gëzimi i vendasve ka zgjatur pak. Vetëm pak çaste më vonë, Matheus Cunha ka shënuar një supergol nga jashtë zonës, duke i dhënë fitoren 3-2 Manchester United.

Kjo humbje e Arsenal e bën edhe më të hapur garën për titull në Premier League, ndërsa Manchester United konfirmon formën e mirë pas fitoreve të mëdha në javët e fundit.