Bllokohen disa pika kufitare drejt BE-së / Video
BKT
Lajme

Bllokohen disa pika kufitare drejt BE-së / Video

Donika Sherifi / RTK

Dhjetëra kamionë, transportues mallrash nga Serbia, protestuan sot në pikëkalimet kufitare me Kosovën.

Ky veprim është reagim kundër sistemit të ri të Bashkimit Evropian, për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve nga zyrtarët serbë, kjo bllokadë do të zgjasë një javë, ndërkohë që një bllokadë e ngjashme është paralajmëruar edhe nga Mali i Zi.

Pos dëmtimeve financiare, ngasësit që protestuan në Merdar, thanë se vendimi i BE-së u shkakton vonesa në dërgimin e mallrave në pikëndalesat e caktuara.

“Këtu janë të rrezikuar të gjithë shoferët qofshin nga Serbia, Maqedonia ,Shqipëria ,Kosova të gjithë. Kjo nuk është një betejë për inate por është në dëme të ekonomisë për të gjithë. Shikoni sot sa kamionë hyjnë në Kosovë pra mallrat duhet të qarkullojnë. Edhe për dy tre muaj nëse vazhdohet kështu ne do të mbesim pa shoferë”, ka thënë shoferi Lubisha Najdanoviq.

“I vetmi problem i cili maksimalisht ka shqetësuar vendet e Ballkanit është zona shengen që kanë caktuar që brenda 6 muajve të kenë qëndrim 90 ditësh. Shoferet nuk janë emigrant nuk janë turist por janë me detyrë atje. Kërkesa jonë është që këtë masë ta ndalojnë. Ta gjejmë një zgjidhje ku të gjithë jemi të kënaqur. Kemi shumë të dhëna nga Gjermania dënimet janë të mëdha, depërtohen sikur të ishin emigrant na i bllokojnë kamionët. Nëse vazhdon kështu atëherë do të mbesim pa shoferë e pa kamion”, ka thënë shoferi Zoran Nikoliq.

Për protestat nëpër pikëkalimet kufitare ka reaguar edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, duke theksuar se kjo shkakton probleme për kompanitë vendore, pasi shumë prej tyre nuk po mund as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra nga Evropa. 


MË SHUME NGA Lajme