Real Betis - Feyenord sonte drejtpërdrejt në RTK
Valon Jakupi / RTK
Real Betis dhe Feyenoord do të përballen në një duel të fortë evropian, ku të dyja skuadrat synojnë fitoren dhe vazhdimin e rrugëtimit në kompeticion. Ky takim i Ligës së Evropës vjen sonte në transmetim të drejtpërdrejt në RTK, duke filluar nga ora 21:00.
Bëhet fjalë për një duel të fortë evropian, ku forma dhe statistikat premtojnë një ndeshje të hapur dhe me ritëm të lartë. Ekipi spanjoll vjen me një ecuri më të qëndrueshme, duke përfituar edhe nga avantazhi i fushës, ndërsa ka treguar efikasitet sidomos në pjesën e dytë të ndeshjeve.
Aktualisht, skuadra spanjolle zë vendin e tetë në renditje dhe me një fitore eventuale do ta siguronte kualifikimin në mesin e 16 ekipeve më të mira të kompeticionit. Betis udhëhiqet në fushë nga Antony Santos, i cili ka shënuar tre gola dhe ka bërë dy asistime në këtë edicion të Ligës së Evropës.
Në anën tjetër, Feyenoord mbetet një ekip i rrezikshëm në fazën sulmuese, me një mesatare të mirë golash për ndeshje, por dobësitë në mbrojtje kanë qenë evidente në takimet e fundit. Nga shtatë ndeshje të zhvilluara deri më tani, Feyenoord ka shënuar 10 gola, por ka pësuar 13, gjë që ka ndikuar që ekipi të mbetet në vendin e 26-të në renditje.
Të dyja skuadrat kanë probleme me mungesat e shumta të futbollistëve për shkak të lëndimeve.























