Imeri: Një e drejtë e garantuar kushtetuese mund të kthehet në një veto
BKT
Lajme

Imeri: Një e drejtë e garantuar kushtetuese mund të kthehet në një veto

Valmira Saraçi|RTKlive

Politologu, Dorajet Imeri ka thënë se pret që jo më larg se nesër në Qendrën e Numërimit e Rezultateve të përfundojë plotësisht rinumërimi i votave që më pas t’i hapet rrugë rezultateve përfundimtare e certifikimit të tyre.

Ai tha se nuk beson shpallja e rezultateve përfundimtare do të vonohet më shumë se të shtunën.

“Me ecurinë aktuale dhe me numrin e atyre që po numërojnë sot, si dhe kapacitetin që ka sot në shfrytëzim  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, unë supozoj se jo më larg se nesër do të kemi të përfunduara rinumërimin e tërësishëm të votave. Pastaj për çështje teknike se kur do të mund të shpallen rezultatet, fillimisht përfundimtare, i mbetet KQZ-së, por nuk besoj që do të shkojë më larg se sa të shtunën në mënyrë që të fillojnë së zbatuari aftet kohore”, tha Imeri, që ishte i ftuar në kuadër të lajmeve të orës 19:30 në RTK.

Ai tha se pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit  duhet shpejt të caktohet mbledhja e parë e Kuvendit të Kosovës e, sipas tij, puna e parë që duhet të bëhet pas konstituimit të Kuvendit e zgjedhjes së Qeverisë është miratimi i buxhetit me procedura të përshpejtuara e njëra nga marrëveshjet ndërkombëtare që është në limitet kohore.

Ai foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit në mandatin e kaluar.

“Dilema mbetet se si do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Deri tash, klasa jonë politike i ka respektuar vendimet. Pa çka se ato hapin shumë dilema e paqartësi, sidomos për faktin se një e drejtë e garantuar kushtetuese mund të kthehet në një veto politike, dhe kjo është e pastaj dilema e madhe që do të na shoqërojë”, tha ai.

Politologu Imeri rikujtoi se Kosovën e ndajnë vetëm edhe pesë javë nga koha kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i shtetit.

“Ne kemi nevojë që të kemi institucione të konsoliduara, fillimisht Kuvendi, pastaj Qeveria, e pastaj ditët do të fillojnë të na rrjedhin shpejt edhe për çështjen e  presidentit. Nga dita që po flasim i kemi jo më shumë se 5 javë kur duhet të kemi presidentin e ri të zgjedhur, ndryshe pastaj hyjmë në një cikël të ri krizash, nëse eventualisht nuk do të kemi një president apo presidente të re”, tha ai.  


MË SHUME NGA Lajme