Analistët e RTK-së: Betis–Feyenoord do të sjellë një superpërballje
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Pas emocioneve që dhuroi mbrëmë Liga e Kampionëve, sonte vëmendja e futbollit evropian zhvendoset te Europa League, garë kjo e dyta më e rëndësishëm në Evropë.
Sfida kryesore e mbrëmjes konsiderohet ajo mes Real Betisit dhe Feyenoordit, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK. Të dyja skuadrat synojnë fitoren dhe vazhdimin e rrugëtimit në këtë garë evropiane.
Aktualisht, Real Betis renditet në vendin e tetë dhe me një fitore eventuale do ta siguronte kualifikimin në mesin e 16 ekipeve më të mira të Europa League.
Në anën tjetër, Feyenoord ka zhvilluar shtatë ndeshje deri më tani, duke shënuar 10 gola dhe pësuar 13, çka ka ndikuar që skuadra holandeze të pozicionohet në vendin e 26-të në renditje.
Analistët e RTK-së, Muhamet Dragusha dhe Fuat Karabegu e parashikojnë duelin mes Betisit dhe Feyenoordit si një përballje të fortë dhe tejet joshëse.
Trajneri Muhamet Dragusha vlerëson se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, veçanërisht për Feyenoordin në garën për kualifikim.
“Real Betis–Feyenoord është një ndeshje mes dy skuadrave ku njëra është në formë të mirë, ndërsa Feyenoordi nuk po kalon momentin më të mirë. Megjithatë, besoj se do të shohim një ndeshje shumë të mirë. Feyenoordi do të japë maksimumin, por duhet ta kemi parasysh se Betisi renditet në vendin e tetë. Pres një duel të fortë”, ka deklaruar Dragusha.
Një përballje të fortë e parashikon edhe ish-futbollisti Fuat Karabegu, i cili thekson rëndësinë e madhe të kësaj ndeshjeje për skuadrën holandeze.
“Ndeshja e sotme është vendimtare për të dy skuadrat, por për Feyenoordin është edhe më vendimtare duke parë pozitën e tyre në renditje. Kjo është një sfidë ku Feyenoordi duhet ta dëshmojë veten, megjithatë kualifikimi i mundshëm do të varet edhe nga rezultatet e ndeshjeve të tjera”, ka thënë Karabegu.
Ndeshja Real Betis – Feyenoord zhvillohet sonte duke filluar nga ora 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.























