Isufaj i Prokurorisë Speciale në SHBA, pjesë në Lutjet e Mëngjesit
Valmira Saraçi|RTKlive
Aktivitete zyrtare e takime të rëndësishme ka paralajmëruar se do të ndodhin në Uashington atje ku Këshilli Prokurorial ka bërë të ditur se kanë udhëtuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi dhe prokurorin special, Naim Abazi, vizitë që thuhet s epo zhvillohet me ftesë të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, e cila mbledh përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme”, thuhet në njoftimin për media nga Sistemi Prokurorial.
Kanë bërë të ditur se në kuadër të kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit e Sistemit Prokurorial do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë. “Ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, në funksion të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave përkatëse, si dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.























