Regjistrimi si furnitor tani plotësisht online përmes e-Kosova
Blerim Halimi | RTKlive
Regjistrimi si furnitor në sistemin e menaxhimit të financave publike të Kosovës tanimë është plotësisht online përmes platformës e-Kosova. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Lulëzon Jagxhiu, këshilltar për Teknologji Informative i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas tij, me lansimin e shërbimit elektronik të regjistrimit të furnitorëve (përfituesve të pagesave) në sistemin e Thesarit të Kosovës, mbi 320 shërbimeve elektronike në e-Kosova u është shtuar edhe një shërbim i ri, me ndikim të drejtpërdrejtë për mijëra qytetarë dhe biznese.
Në dy vitet e fundit, mesatarisht rreth 30,000 furnitorë në vit (biznese, OJQ dhe qytetarë) është dashur të aplikojnë fizikisht, të dorëzojnë dokumente në letër dhe të kalojnë nëpër një proces aprovimi i cili ka zgjatur deri në 30 ditë, që të mund të pranojnë pagesa nga institucionet publike.
“Sot ky proces është plotësisht elektronik. Nuk kërkohet ngarkimi i asnjë dokumenti, pasi të dhënat merren dhe validohen automatikisht përmes interoperabilitetit me regjistrin e bizneseve, regjistrin e OJQ-ve, regjistrin civil dhe sistemin e BQK-së për verifikimin e llogarive bankare”, ka bërë të ditur Jagxhiu.
Sipas tij tani regjistrimi zakonisht përmbyllet brenda ditës, duke u mundësuar furnitorëve pranimin shumë më të shpejtë të pagesave, pa vonesa administrative dhe kursim të kostos.
“Ky është një shembull konkret se si digjitalizimi po ul barrën administrative, përshpejton proceset, rrit besimin e transparencën dhe krijon vlerë reale për qytetarët dhe ekonominë”, ka shkruar Jagxhiu.























