Hetime për dyshime manipulimi votash në Obiliq
Sh.Çoçaj/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij autorizimi, sot Policia e Kosovës ka intervistuar disa persona të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.
Në njoftim thuhet se pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Gjatë ditës së sotme në Pejë disa komisionerë janë intervistuar mbi dyshimet për manipulime me vota.
Për manipulime me vota, deri tash në Prizren janë në paraburgim 28 persona, ndërsa në Malishevë 15. Veprime hetimore janë ndërmarrë edhe në komunat e tjera të vendit.























