Kryeministri Rama pritet nga Papa Leoni XIV
atsh
Sot paradite Papa Leoni XIV priti në audiencë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, publikoi sot Vatican News.
Më pas u zhvillua takimi në Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
“Në bisedimet e përzemërta”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, “u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”.
Ndër temat në qendër të bisedimeve, vijon njoftimi, ishin edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, djali Zaho dhe delegacioni që e shoqëron, kryeministri Edi Rama ka nisur dje vizitën e tij zyrtare në Vatikan, me ftesë të Selisë së Shenjtë.
Vizita e kryeministrit në Vatikan do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.























