Çeku i uron suksese ekipit të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore
BKT
Sport

Çeku i uron suksese ekipit të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore

Afet Bela|RTKlive

Kosova ka parakaluar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 të premtën në mbrëmje. Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka uruar suksese ekipit të Kosovës Lojërat Olimpike Dimërore.

"Parakalimi i ekipit të Kosovës në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Kosova përfaqësohet me dy skitarë: Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, të cilët bartën flamurin tonë. Shumë suksese dhe fat për sportistët tanë!", ka shkruar Çeku në Facebook'. 

Ceremonia hapëse, e cila është transmetuar drejtpërdrejt në RTK, është zhvilluar në stadiumin "San Siro" në Milano dhe ishte e ndërtuar rreth temës “Armonia”, duke bashkuar muzikën, artin dhe kulturën italiane. Në skenë kanë performuar artistë të njohur botërorë si Mariah Carey, Andrea Bocelli, Laura Pausini dhe pianisti Lang Lang.

Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 marrin pjesë rreth 2.800 sportistë nga 92 shtete, të cilët garojnë në 116 evente, në kuadër të 8 sporteve dhe 16 disiplinave. Garat zhvillohen në disa lokacione, përfshirë Milano, Cortina, Livigno, Bormio dhe Val di Fiemme.

Radio Televizioni i Kosovës do ta transmetojë ekskluzivisht këtë ngjarje për territorin e Kosovës, me mbi 125 orë program olimpik, nga data 6 deri më 22 shkurt, duke sjellë drejtpërdrejt çdo emocion nga Lojërat Olimpike Dimërore.