Skijim alpin: Kombinimi ekipor për meshkuj gati për debutimin e madh
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Kombinimi ekipor për meshkuj në ski alpin është gati të bëjë debutimin e tij në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, si një nga tetë disiplinat e reja që do të prezantohen për herë të parë në këtë edicion.
Kjo disiplinë e re bashkon shpejtësinë e zbritjes së lirë me tekniken e sllallomit, duke vënë në provë thellësinë dhe cilësinë e skuadrave kombëtare (NOC).
Ekipet përbëhen nga dy sportistë, ku secili garon vetëm në njërën disiplinë – ose në zbritjen e lirë, ose në sllallom – ndërsa rezultati përfundimtar përcaktohet nga koha më e shpejtë e kombinuar e të dy garimeve.
Mes skuadrave favorite që pritet të luftojnë për medalje janë ato të Austrisë, Italisë, Norvegjisë dhe Zvicrës, të cilat do të paraqiten me dyshe shumë konkurruese.























