Prokuroria nis intervistimin e anëtarëve të QNR-së në Drenas
BKT
Lajme

Prokuroria nis intervistimin e anëtarëve të QNR-së në Drenas

Valbona Thaçi / RTKLive

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, ka filluar intervistimi i anëtarëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përkatësisht në Qendrën Komunale në Drenas.

Sipas njoftimit, këto veprime janë ndërmarrë pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të hetimeve intensive që kanë nisur nga dita e sotme.

Hetimet po zhvillohen lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast.

Po ashtu, Prokuroria ka theksuar se do ta mbajë të informuar opinionin publik për të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces.


MË SHUME NGA Lajme