Hetim për dhunë në shkollën `Pavarësia`, ndalohet arsimtari për 48 orë
BKT
Lajme

Hetim për dhunë në shkollën `Pavarësia`, ndalohet arsimtari për 48 orë

Qendresa Duraku / RTK

(E përditësuar 17:00) Një rast i dhunës së raportuar në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria, ku është iniciuar rast penal për “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ndërsa i dyshuari, arsimtar, është ndaluar për 48 orë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për RTKlive se është iniciuar rast me veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, në bazë të nenit 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ajo bëri të ditur se, me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar personi i dyshuar – arsimtar – në kohëzgjatje prej 48 orësh. Sipas saj, Prokurori i Shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, konform dispozitave të ligjit në fuqi.

(14:50) Nisin hetimet për rastin e dhunës në shkollë

Policia ka nisur një hetim për rastin e dhunës në shkollën ‘Pavarësia’ në Prishtinë.

Policia ka bërë të ditur se sot rreth orës 12:00 ka pranuar informatën për një rast sulmi fizik të ndodhur në një shkollë fillore në Prishtinë.

Menjëherë, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion policor palët e përfshira në rast. Aktualisht Policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit, ka konfirmuar Policia e Kosovës për RTK-në.


MË SHUME NGA Lajme