Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi në pullat postare të Kosovës
Kimete Kasumi/ RTKlive
Posta e Kosovës ka vënë sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Alpinistet e Kosovës – Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi”.
Ky emision i pullave postare i kushtohet alpinizmit kosovar dhe grave që, me guxim, përkushtim dhe arritje historike, kanë ngritur emrin dhe flamurin e Kosovës në majat më të larta të botës.
Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, motivet e dy pullave postare prezantojnë dy alpinistet kosovare të rangut botëror: Uta Ibrahimi, e cila arriti të bëhet gruaja e parë nga Ballkani që ka ngjitur 14 majat mbi 8.000 metra, si dhe Mrika Nikqi, alpinistja më e re kosovare që po ashtu preku majat më të larta të botës, përfshirë majën Everest.
"Me guxim, përkushtim dhe vizion, Uta dhe Mrika e kanë vendosur Kosovën në hartën globale të alpinizmit. Dy sportistet e jashtëzakonshme janë simbole të ambicies së pakufishme dhe dëshmi se ëndrrat e mëdha nuk njohin moshë. Shembulli i tyre mbetet frymëzim për alpinistët e të gjitha brezave", thuhet në njoftimin e PTK-së.
Posta e Kosovës thotë se vazhdon të promovojë vlerat sportive të vendit në botë, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë filatelik, i cili do të jetë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.

























