Debati në RTK Prime: Kritika ndaj Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë
Kaltrina Rexhepi/RTK
Ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shprehur kritika të ashpra ndaj Gjykatës Speciale në Hagë dhe veprimeve të Prokurorisë në emisionin “RTK Prime”, ku edhe sonte u debatua rreth procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Nasim Haradinaj, gjeneral i UÇK-së e ka quajtur jonormale atë çfarë ka kërkuar Prokuroria Speciale. Ai ka thënë se dënimin që ka kërkuar për ish-krerët e UÇK-së me nga 45 vite secili e ka kërkuar t’i arsyetojë shkeljet e veta arbitrare që i ka bërë, qoftë shkeljet e të drejtave të njeriut, qoftë ligjore me kohëzgjatjen e mbajtjes aty.
“Kjo prokurori, përveç të tjerave, ka me arsyetuar edhe zhvatjen e miliona eurove që, në emër të një drejtësie, Evropa e ka paguar. Prokuroria thotë 45 vite për secilin individ dhe të shpallen fajtorë për të gjitha pikat, e kur thuhet për të gjitha pikat, atëherë duhet të shqyrtohen një nga një. Nuk mundet me i lyp ai 45 vite pa e arsyetuar se në çfarë forme dhe shablloni”, tha Haradinaj.
Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behramaj ka thënë se argumenti që ka përdorur Prokuroria janë të njëjtat argumente që ka përdorur Slobodan Millosheviqi në gjyqin kundër tij për të gjithë dëshmitarët amerikanë.
“Është i njëjti argument, është e njëjta linjë argumentimi. Për mua është e pabesueshme të dëgjoj një prokuror që po thuhet se është prokuror i një gjykate të Kosovës dhe që ushqehet me të gjitha arkivat e Millosheviqit. Në Gjykatën Speciale aty i ke edhe dokumentet e CIA-s, ku kanë pasur qasje të gjithë, dhe në dokumentet e CIA-s thuhet se nuk ka asnjë dëshmi që UÇK-ja është përfshirë në aktivitete terroriste, në aktivitete të dhunshme të motivuara politikisht. Janë dokumente amerikane që shfajësojnë. Andaj, qysh mundet prokurorja me i glorifiku krejt dëshmitë që kanë ardhur nga Serbia, krejt dokumentet që kanë ardhur nga Serbia, krejt dëshmitarët e përpunuar nga Serbia, dhe me i nënçmuar e me dyshuar në gjeneralë me katër yje që janë nga Amerika, që është kapitulli më i lartë?”, ka thënë Behramaj.
Profesor i historisë Ibrahim Gashi tha se asnjë lëvizje çlirimtare në historinë e lëvizjeve çlirimtare nuk trajtohet nga një gjykatë. “Nuk do të duhej të ngritej gjykatë për një ushtri çlirimtare, por ja që është ngritur dhe e trajton me rregulla të një ushtrie të rregullt. Madje të një ushtrie agresore, dhe kështu e trajton sot Gjykata Speciale UÇK-në. Rrjedhimisht s’ke ku e gjen një shembull të tillë në histori”, ka thënë Gashi.
Ai tutje ka thënë se kjo gjykatë origjinën e vet e ka politike dhe jo juridike, sepse bazohet në një raport juridik, i cili nuk figuron në aktakuzë askund në raportin e Dick Marty.
Ndërkohë, Dardan Krasniqi ish-pjesëtar i UÇK-së ka thënë se njerëzve që kanë luftuar u ka kushtuar shumë modestia.
“Kemi lejuar me u fokusuar shumëçka për UÇK-në, kemi lejuar me u krijuar narrativë e keqe për UÇK-në, nga modestia. Te Gjykata Speciale armiku është i paidentifikuar, por për mua është shumë e qartë: fjala e prokurorisë sot dhe dje nuk thotë asgjë më shumë sesa çka kanë thënë politikanët, kanë thënë gazetarët, kanë thënë protagonistë të ndryshëm politikë, për ego e për inate”, ka thënë Krasniqi.























