MSHMS: 21 persona u paraqiten në spital të lënduar në protestë
BKT
Shqipëri

MSHMS: 21 persona u paraqiten në spital të lënduar në protestë

ATSH

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, informoi se gjatë orëve të mbrëmjes në Spitalin Universitar të Traumës dhe Spitalin Universitar “Nënë Tereza” janë paraqitur 21 persona.

MSHMS njofton se 19 prej tyre efektivë të Policisë së Shtetit, një deputet i Partisë Demokratike dhe një qytetar.

Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 10 efektivë policie, deputeti B.N dhe një qytetar. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore sipas protokolleve respektive, të pritur nga ekipi mjekësor multidisiplinar.

Pas trajtimit, 9 efektivë janë larguar nga spitali, sipas këshillave të mjekut dhe një prej efektivëve është dërguar në QSUNT në Shërbimin e Toksikologjisë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Gjithashtu, deputeti B.N, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm është larguar nga spitali me këshilla mjekësore.

Në SUT po trajtohet qytetari K.K., jashtë rrezikut për jetën.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 10 efektivë policie me probleme shëndetësore, kryesisht intoksikacione dhe djegie të gjymtyrëve.

Nga këta, 7 efektivë kanë marrë trajtim ambulator dhe kanë lënë ambientet e spitalit, ndërsa 3 të tjerë, për shkak të gjendjes shëndetësore, janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.

Stafi mjekësor dhe infermieror i Shërbimit të Urgjencës Polivalente dhe i Shërbimit të Djegie-Plastikës ka qenë në gatishmëri të plotë për përballimin e rasteve dhe ofrimin e kujdesit mjekësor sipas protokolleve përkatëse.


MË SHUME NGA Shqipëri