Rasti në shkollën `Pavarësia, mësimdhënësi me masë paraqitjeje në polici
BKT
Lajme

Rasti në shkollën `Pavarësia, mësimdhënësi me masë paraqitjeje në polici

Qëndresa Duraku / RTK

Mësimdhënësit të shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, të cilit iu është publikuar një video duke e goditur nxënësin e tij, i është caktuar masa e lajmërimit në stacionin policor.

Para dy ditësh ai ishte ndaluar për 48 orë me urdhër nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, sipas nenit 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, prokurori i shtetit ka paraqitur kërkesë me shkrim pranë gjykatës për caktimin e masës së paraqitjes në stacionin policor”, ka konfirmuar për RTK Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore.

Njëkohësisht, prokurori i Departamentit për të Mitur ka iniciuar rastin me veprën penale “Sulmi” ndaj nxënësit dhe janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me këtë çështje penale.

Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve, kanë mbajtur dje një grevë dyorëshe në shenjë proteste ndaj, siç u tha, sjelljeve problematike të disa nxënësve, një ditë pasi Policia e Kosovës arrestoi një mësimdhënës të kësaj shkolle nën dyshimin për ushtrim dhune ndaj një nxënësi.

 


MË SHUME NGA Lajme