Abdixhiku: Pa kompromis ndaj kapjes së shtetit
Kaltrina Rexhepi| RTK
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në seancën e votimit të Qeverisë së Kosovës, duke e pozicionuar LDK-në si opozitë të pakompromis përballë, siç tha ai, një pushteti që ka numrat, por jo rezultatet.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se opozita nuk duhet parë si dorëzim, por si qëndrim parimor në mbrojtje të demokracisë.
“Opozita nuk është mungesë e përgjegjësisë e aq më pak dorëzim, ajo është gjendje e bindjes kur numrat nuk e masin të drejtën dhe kur shumica nuk e zëvendëson arsyen. Ka momente kur e vërteta qëndron në pakicë dhe megjithatë mbetet e drejtë gjithherë, jo për shkak të zërit që ka sot, por për shkak të kohës që e arsyeton atë nesër”, tha Abdixhiku.
Ai paralajmëroi se vendi ndodhet përballë një pushteti të përqendruar, duke vënë në pikëpyetje bilancin e deritanishëm qeverisës.
“Sot lind nevoja për të qëndruar jo përballë një qeverie të zakonshme, por përballë një pushteti që i ka të gjitha – numrat, institucionet, mjetet dhe kohën dhe mbi të gjitha përvojën e zymtë të pesë viteve të kaluara me fjalë shumë dhe pak rezultate”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai la të hapur derën për bashkëpunim institucional në çështje madhore.
“LDK shpreh gatishmërinë e saj për bashkëpunim institucional në Parlament për tema me qëllim që tejkalojnë aritmetikën parlamentare, sepse besojmë që stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi dhe respekt për opozitën dhe se demokracia nuk është çështje numrash, por një çështje e kulturës politike”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se politika duhet të rikthehet te qytetari dhe sfidat reale të vendit.
“Ky është momenti kur fjala e qytetarëve bëhet barrë e përfaqësimit dhe politika duhet të ndalet të flasë për vete, por të flasë për qytetarët tanë. Sfidat që e presin vendin janë të shumta dhe ato nuk presin. Uroj që të keni zgjedhur drejt, por ne besojmë që jo; megjithatë, verdikti juaj duhet të jetë për rezultate konkrete”, theksoi ai.
Në fund, Abdixhiku renditi pesë qëndrime të panegociueshme të LDK-së si opozitë.
“Duhet të jemi pa kompromis me kapjen e shtetit, me çdo përpjekje për të nënshtruar institucionet shtetërore ndaj një partie politike, me çdo zëvendësim të profesionalizmit me bindje partiake dhe me çdo ndërhyrje në drejtësi. Duhet të jemi pa kompromis me luftën ndaj korrupsionit qeveritar, me ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, me orientimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe duhet të jemi pa kompromis me veten dhe me standardin tonë si opozitë”, përfundoi Abdixhiku.























