Tahiri: Do të votojmë pro rezolutës për ish-krerët e UÇK-së
Medina Pasoma / RTKlive
Besnik Tahiri nga Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pas takimit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo parti do të votojë pro rezolutës për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Tema më e rëndësishme është rezoluta që Kuvendi i Kosovës do ta miratojë në orën 19:00 sa i përket çlirimtarëve tonë që gjinden padrejtësisht në Hagë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një dakordim për tekstin e kësaj rezolute”, ka thënë Tahiri në deklarimin për media.
Më tej ai ka njoftuar se tema e parë që do të diskutohet në seancën e sotme do të jetë ndarja e komisioneve.
“Rritja e numrit të ministrive ka reflektuar edhe në rritjen e komisioneve që do ta bëjnë mbikëqyrjen. Tema e dytë është me ndarjen buxhetore”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se sot s’do të bohet votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.























