Kurti ngre çështjen e sulmit në Banjskë në takim me senatorët amerikanë
Emine Hoti/RTKlive
Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego. Kurti ua ka përsëritur senatorëve amerikanë kërkesat që ka Kosova në raport me Serbinë.
Sipas njoftimit nga Qeveria, në lidhje me raportet me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e dorëzimit të kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike, tërheqjes së letrës së Brnabiq ku thuhet se nuk do të respektohet integriteti territorial i Kosovës.
"Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleatin tonë kryesor.Progresi i Kosovës në aspektin demokratik dhe atë ekonomik u theksua përgjatë takimit. Kryeministri foli edhe rreth orientimit euro-atlantik dhe objektivit e angazhimit tonë të vazhdueshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Kurti shoqërohej në këtë takim nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
























