Fetoshi: Pse propaganda serbe po e shton ‘presionin qytetar’
Naser Mekolli /RTKlive
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vërejtur përmes një postimi në Facebook se mediat dhe udhëheqësit serb po e paraqesin aleancën Shqipëri–Kroaci–Kosovë si “kërcënim ekzistencial” ndaj Serbisë, duke përdorur një ton alarmues dhe viktimizues për të justifikuar presionin dhe mobilizimin e brendshëm.
Fetoshi thekson se ftesa e kryetarëve serbë në Prishtinë dhe Ligji për të Huajt po paraqiten si “eliminim institucional” i serbëve, edhe pse pretendimet janë të pavërteta, dhe përdoren si “armë” propagandistike për të nxitur reagime të ashpra nga qytetarët dhe strukturat politike serbe.
Ai shton se përfshirja e Forumit Nacional Serb, Monarkistëve dhe veprimeve të Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut synon të legjitimojë “rezistencën” dhe të justifikojë diskursin agresiv, duke fshehur militarizimin e Serbisë dhe instrumentalizimin e komunitetit serb për destabilizim politik dhe pengim të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.























