Milano-Cortina 2026, Klaebo drejt historisë
BKT
Sport

Milano-Cortina 2026, Klaebo drejt historisë

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Një moment heshtjeje dhe më pas britma gëzimi në pistën e Teseros. Norvegjia feston medaljen e artë në stafetë, ndërsa në qendër të festës është sërish “lokomotiva” e saj, Johannes Hosflot Klaebo.

Me triumfin e radhës, kampioni norvegjez ka regjistruar medaljen e 9-të të artë olimpike në tre edicione të Lojërave Dimërore, një rekord absolut në ski nordik. Por “Njeriu raketë”, siç e quajnë në Norvegji, nuk ka ndërmend të ndalet.

Nëse fiton edhe në garën ekipore të së mërkurës dhe në finalen e 50 kilometrave të së shtunës, Klaebo mund të arrijë në 11 tituj olimpikë dhe 6 medalje ari në 6 gara në Milano-Cortina – një tjetër rekord në disiplinat e borës dhe akullit.

Dominimi i tij ka bërë që shumë specialistë të shprehen se në garat e gjata “garohet vetëm për vendin e dytë”. Krahasimet me yje të sportit si Tadej Pogacar janë të pashmangshme, por ndryshe nga çiklisti slloven, Klaebo rrallëherë lë hapësirë për surpriza.

Stili i tij unik, ekuilibri dhe teknika në garat me teknikë klasike kanë ndryshuar mënyrën se si zhvillohet ski nordik. Shumë rivalë përpiqen ta imitojnë, por diferenca fizike dhe cilësore mbetet e dukshme. Francezi Mathis Desloges, me tre medalje argjendi në këtë Olimpiadë, është një nga surprizat e bukura, por ende larg kohëve të norvegjezit.

Përtej pistës, Klaebo është një perfeksionist i detajeve. Në grumbullim ka kërkuar që pjesëtarët e delegacionit të mbajnë maska mbrojtëse për të shmangur çdo rrezik infektimi. Para garave nuk takon gazetarë, ndërsa pas stërvitjes relaksohet me pasionin e tij për video-lojërat online.

Një kampion i rrallë, që duket se po rishkruan historinë e Lojërave Dimërore, me synimin për ta çuar emrin e tij në majën absolute të sporteve të borës.