Kosova dhe Shqipëria riafirmojnë angazhimin në Bordin e Paqës
Arbresha Berisha|RTK
(E plotësuar, ora 12:30) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u diskutua mbi marrëdhëniet ndërshtetërore dhe zhvillimet rajonale.
Në fokus të takimit ishte koordinimi politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, me qëllim avancimin e interesave strategjike të përbashkëta.
Sipas njoftimit, të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
Diskutimet përfshinë edhe bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, ku u theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale për dialog, siguri dhe vlera demokratike. Kosova dhe Shqipëria u nderuan me ftesën nga Presidenti Donald Trump për të marrë pjesë në këtë Bord, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, u riafirmua vullneti për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.
Presidentja Osmani gjithashtu përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si një dëshmi të angazhimit evropian dhe një faktor që forcon perspektivën rajonale.
Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike të saj.
Rama nis vitin në Prishtinë, pritet nga Osmani
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur vitin e tij në Prishtinë, ku u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pret kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Pas këtij takimi, në orën 15:00, Rama do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.























