Presidenti italian uron Osmanin për 17 Shkurtin
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Në letrën e dërguar Osmanit, Mattarella shpreh urimet më të mira të popullit italian dhe të tijat personale për Kosovën. Ai thekson se marrëdhënia e miqësisë mes dy vendeve shprehet përmes angazhimit të përbashkët dhe të vazhdueshëm në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, si parakusht për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Presidenti italian nënvizon se Italia mbështet rrugëtimit e integrimit evropian të Kosovës, duke shtuar se arritja e këtij objektivi kërkon një shtysë të re për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
"Roma mbetet e palëkundur në mbështetjen e rrugëtimit të integrimit evropian të Prishtinës dhe të mbarë rajonit. Arritja e këtij objektivi, për të cilin Italia do të vazhdojë të kontribuojë, mbetet thelbësore dhe kërkon një shtysë të re për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin", thuhet në letrën e presidentit italian.
Në fund Mattarella i shpreh sërish urimet për mbarësi dhe mirëqenie presidentes Osmani dhe i përcjell përzemërsisht urime edhe popullit kosovar.























