Macron uron Kosovën, përmend normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi
BKT
Lajme

Macron uron Kosovën, përmend normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.

Në letrën e tij, Macron shpreh urimet më të përzemërta në emër të Francës dhe në emrin e tij personal. Ai thekson përkushtimin e Francës ndaj pavarësisë së Kosovës dhe perspektivës evropiane të vendit, si dhe bindjen se ribashkimi i kontinentit kalon përmes anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Macron vë në pah se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet çështje e sigurisë evropiane dhe dimension qendror i procesit të afrimit me BE-në, duke theksuar se Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun.

"Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre me Bashkimin evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi evropian. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra përsipër", theksohet në letrën e urimit. 

Në letër përmenden edhe vlerat e përbashkëta në fusha si olimpizmi, frankofonia dhe të drejtat e grave, si dhe shpresa për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha kyçe, përfshirë shkëmbimet ekonomike. 


MË SHUME NGA Lajme