Vdes Robert Duvall, ylli i `The Godfather` dhe `Apocalypse Now`
Gentiana Kelmendi/RTK
Robert Duvall, aktori i njohur për rolet e tij në filmat The Godfather dhe Apocalypse Now, ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare.
Sipas deklaratës së agjencisë së tij të PR-së, Duvall ka vdekur “paqësisht” në shtëpinë e tij në Middleburg, Virginia, të dielën. Bashkëshortja e tij, Luciana, tha se për botën ai ishte “aktor fitues i Oscar-it, regjisor dhe tregimtar”, ndërsa për të personalisht ishte “gjithçka”. Ajo shtoi se pasioni i tij për artin ishte po aq i madh sa dashuria për personazhet, për një vakt të mirë dhe për bisedat e gjata.
Duvall njihej për rolet e tij të forta dhe karakteret e paharrueshme gjatë një karriere gjashtëdekadëshe. Ai luajti si këshilltari i mafies në The Godfather dhe oficeri i ushtrisë në Apocalypse Now, ku linja e tij legjendare “I love the smell of napalm in the morning” u bë ikonike.
Gjatë karrierës, ai u nominua shtatë herë për Oscar dhe fitoi çmimin si aktor më i mirë në 1983 për rolin e tij si këngëtar i dëshpëruar në Tender Mercies. Duvall interpretoi gjithashtu në Network, The Great Santini, The Handmaid’s Tale, The Judge, si dhe në mini-serinë televizive Lonesome Dove, ku roli i tij si Texas Ranger Augustus McCrae mbeti ndër më të dashurit për të.
Debutimi i tij në ekran ishte në vitin 1963 me filmin To Kill a Mockingbird, ku luajti Boo Radley.
Pas lajmit për vdekjen e tij, shumë kolegë dhe aktorë kanë shprehur ngushëllime dhe respekt. Adam Sandler e quajti “një nga aktorët më të mëdhenj që kemi pasur”, ndërsa Jamie Lee Curtis e përshkroi si “këshilltarin më të madh që ekrani ka parë ndonjëherë”.
Robert Duvall la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në kinematografinë botërore, me role që do të mbeten të paharrueshme. / Burimi: BBC























