Marshi “Drejtësi, jo politikë”: Organizatorët presin pjesëmarrje masive
Kaltrina Rexhepi/RTKlive
Sot në Prishtinë zhvillohet marsh qytetar nën moton “Drejtësi, jo politikë”, i cili mbahet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Platforma “Liria Ka Emër” organizon marshin, ku qytetarë nga e gjithë Kosova pritet të mblidhen për të kërkuar drejtësi dhe për të shprehur mbështetje për vlerat e UÇK-së.
Organizatorët, të ftuar në emisionin festiv “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, thanë se përgatitjet për këtë aktivitet kanë zgjatur javë të tëra, duke përfshirë takime në shumë komuna dhe institucione.
Njëri nga organizatorët, Ismet Tasholli, theksoi interesimin e madh të qytetarëve, duke e cilësuar këtë marsh si një moment të rëndësishëm për shoqërinë.
“Sot po e presim masovitetin më të madh ndonjëherë, sepse përgjigja ka qenë gjithherë pozitive. Kur flasim për UÇK-në flasim për një idealizëm të pashlym, dhe zëri i tyre do të dëgjohet jo vetëm nga Prishtina, por nga gjithë vendi. Pa asnjë dallim partiak, të gjithë sot janë një zë,” tha Tasholli.
Ai shtoi se qëllimi kryesor i marshit është kërkesa për drejtësi, duke vënë në dukje shqetësimin dhe ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët ndiejnë për trajtimin e çështjes.
Mes organizatorëve është edhe këngëtarja Eliza Hoxha, e cila nënvizoi rëndësinë e dokumentimit të ngjarjeve dhe ruajtjes së kujtesës kolektive për brezat e ardhshëm.
“Nuk ke mundësi të ndërtohësh të ardhmen nëse nuk qëndron me atë që e ka sjellë momentin për ta ndërtuar këtë të ardhme. Është përgjegjësi qytetare e të gjithëve neve, dhe si qytetarë duhet ta ushtrojmë të drejtën tonë për ta manifestuar për një padrejtësi që ne vlerësojmë që po na bëhet gjithë shqiptarëve,” tha Hoxha.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe, duke theksuar se marshimi synon të bashkojë qytetarët përtej dallimeve politike, në një kërkesë të përbashkët për drejtësi.























