Kurti: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme
BKT
Lajme

Kurti: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme

Valbona Thaçi|RTKlive

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka organizuar konferencën e dytë ndërkombëtare me temën “Nga lufta drejt rimëkëmbjes: Një qasje shumëdisiplinore ndaj traumës së luftës në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lufta çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë nuk ishte një projekt pushteti apo ambicie territoriale.

Ai foli edhe për ecurinë e Speciales. “Në këtë kontekst, nuk mund të mos përmendet çështja e lidhur me Kosovën, përfshirë funksionimin e Dhomave të Specializuara në një proces gjyqësor që ende vazhdon dhe nuk ka marrë një përfundim”, tha Kurti.

Sipas tij, lufta çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë nuk ishte një projekt pushteti apo ambicie territoriale.

Ai theksoi se ajo ishte një përgjigje ndaj represionit sistematik, diskriminimit dhe një regjimi që në shumë aspekte ngjante me një formë apartheidi, duke rezultuar me mijëra viktima dhe mbi një milion të dëbuar.

Kurti tha se ky proces nuk mund të shkëputet nga karakteri i tij çlirimtar dhe anti-kolonial dhese çdo trajtim juridik duhet të marrë parasysh kontekstin historik, politik dhe moral në të cilin ndodhën ngjarjet. Kurti foli edhe për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhe”, e cila, sipas tij, kurrë nuk ka ekzistuar.

Kryeministri shprehu se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narratives hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Shtëpi të Verdhë” nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur “Sarajevo Safari” ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e “Sarajevo Safari” do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare.” tha kryeministri Kurti.

Kurti tha se dokumentimi është akt respekti ndaj jetës së secilit e secilës që u vra, u zhduk apo u torturua gjatë luftës. Në këtë drejtim, ai shtoi se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij dokumentuese dhe arkivore, duke standardizuar procedurat e verifikimit, ndërtuar baza të reja të të dhënave dhe avancuar punën për regjistrimin e viktimave dhe dëmeve të luftës.

 

 

 

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme