Shala: Të ftohtit dhe fusha me bari sintetik mund ta penalizojnë Inter
Uran Krasniqi / RTKLive
Ish-futbollisti i Kosovës dhe i kampionatit norvegjez, Herolind Shala, ka thënë se kur lojtarët e Inter do të përballen me Bodo/Glimt, atëherë për shkak të ftohtit po edhe për shkak të stadiumit me bar sintetik italianët do të mund të gjenden në situatë të vështirë.
Shala ka qenë mysafir në RTK për të komentuar ndeshjen mes Bodo/Glimt dhe Inter, e vlefshme për fazën "Play off" të Champions League.
“Norvegjia që nga koha e Rosenborg nuk ka pasur një skuadër kaq të mirë. Ajo çfarë ka bërë Bodo/Glimt duhet duartrokitur. Kanë investuar shumë në akademi dhe gjithë Norvegjia po i mbështet. Kur unë kam luajtur kundër Bodo nuk ishin kaq të fortë, më pas u bënë një skuadër e vështirë për t’u mposhtur", ka thënë Shala. "Për lojtarët e Inter do të jetë e vështirë të luajnë sonte në Norvegji për shkak se është ftohtë dhe edhe për shkak të stadiumit me bar sintetik”.























