Në Zagreb shënohet përvjetori i pavarësisë
Sh.Çoçaj/RTKlive
Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb organizoi ceremoninë e shënimit të Pavarësisë së Kosovës, e cila u shndërrua në një ngjarje me dimension politik, historik dhe shoqëror.
Në fjalën e tij, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, theksoi tre shtylla kryesore të bashkëpunimit: marrëdhëniet historike shqiptaro-kroate, partneritetin strategjik dhe konsolidimin euroatlantik të Kosovës, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ai nderoi kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorët që ranë për liri, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e tyre.
Ceremonisë iu bashkuan zëvendësministri i Mbrojtjes së Kroacisë, gjenerali Tomislav Galiq, dhe eurodeputeti Davor Ivo Stier, të cilët ripërsëritën mbështetjen e Kroacisë për stabilitetin rajonal dhe rrugën evropiane të Kosovës.
Ngjarja pati pjesëmarrje të lartë institucionale, diplomatike dhe akademike, përfshirë ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, deputetë, ambasadorë, atashe ushtarakë, rektorë, akademikë, profesorë dhe studentë.
Sipas njoftimit, pjesëmarrja e veteranëve të luftës së Kroacisë dhe Kosovës dhe e komunitetit shqiptar të integruar në Kroaci tregoi solidaritetin historik dhe kontributin e diasporës në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit.
Ceremonia përfundoi me elemente kulturore që rikujtuan traditën arbëreshe në Zadar, duke i dhënë mbrëmjes një dimension identitar dhe emocional.
"Ngjarja konfirmoi se marrëdhëniet Kosovë–Kroaci bazohen në histori të përbashkët, partneritet strategjik dhe një diasporë aktive, duke bërë përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës një pasqyrë të rrugëtimit të vendit nga sakrifica për liri drejt konsolidimit ndërkombëtar", thuhet në njoftim.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci u falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe stafin diplomatik për organizimin profesional dhe dinjitoz të ngjarjes.























