Tahiri: Buxheti 2026, presim bashkëpunim të qeverisë
Valbona Thaçi / RTKLive
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën për leximin e dytë të buxhetit për vitin 2026, ka theksuar se pret bashkëpunim nga qeveria, përndryshe procesi do të konsiderohet mashtrim.
“Për buxhetin kemi folur në seancën e kaluar dhe nuk dua të ndalem këtu, mirëpo qytetarëve të Kosovës duhet t’ju them dy porosi që i ka Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. E para, ashtu siç u kam thënë në seancën e diskutimit në lexim të parë për këtë buxhet, ky është buxhet i përgatitur në tetor dhe është provizor. Kjo është konfirmuar edhe nga kryeministri dhe ministri i Financave, ndërsa zotimi i qeverisë është se pas disa muajsh do të bëhet një rishikim i madh dhe i rëndësishëm për këtë buxhet”, tha ai.
Tahiri shtoi se presin reagimin e qeverisë dhe vendimin nëse do të mbështetet buxheti.
“Mbi këtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar 14 amendamente nga gjithsej 86 që i ka bërë Kuvendi në Komisionin për Buxhet, pasi nuk ka logjikë një buxhet i cili hyn në këtë vit të mos ketë asnjë amendament. Amendamentet lidhen kryesisht me sektorin e sigurisë, mbështetjen e policisë dhe ushtrisë, investime kapitale në komunat ku ne udhëheqim, si dhe projektin e autostradës së Dukagjinit. Ne do të presim reagimin e qeverisë për këto amendamente. Nëse ato kalojnë pa asnjë mbështetje, atëherë leximi i parë dhe procesi i shkurtimit të afateve për diskutimin e amendamenteve do të konsiderohet mashtrim optik. Por ne do të vazhdojmë t’i lexojmë amendamentet tona dhe të shohim nëse do të pranohen apo jo. Nëse gjithçka bëhet vetëm për të kaluar buxhetin, kjo do të jetë një goditje e madhe për Kosovën, për programet investive, qeverinë dhe funksionimin e saj, pasi po miratojmë një buxhet të përgatitur në tetor, formalisht në shkurt, dhe tani po e miratojmë për disa muaj”, theksoi Tahiri.























