Rijpma-de Jong befason në 1500 metra në Milano-Cortina dhe fiton të artën
Uran Krasniqi / RTKLive
Holandezja Antoinette Rijpma-de Jong ka shkaktuar befasi të madhe duke fituar medaljen e artë në garën e 1500 metrave në patinazh të shpejtë, në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina.
Rijpma-de Jong ka triumfuar me kohën 1:54.09, duke lënë pas norvegjezen Ragne Wiklund, e cila ka regjistruar 1:54.15, vetëm gjashtë të qindtat më ngadalë.
Medalja e bronztë i ka takuar kanadezes Valerie Maltais me kohën 1:54.40.
Holandezja ka arritur kohën vendimtare në baterinë e parafundit, duke kaluar Wiklund për një diferencë minimale. Në baterinë e fundit kanë garuar edhe çekja Nikola Zdrahalova dhe japonezja Miho Takagi, por asnjëra nuk ka arritur të ngjitej në podium.
Për Rijpma-de Jong, kjo është medalja e parë e artë olimpike në garë individuale, pas dy medaljeve të argjendta (njëra në ndjekjen ekipore në këto Lojëra) dhe tri medaljeve të bronzta gjatë karrierës së saj dymbëdhjetë vjeçare olimpike. Hera e fundit që kishte fituar të artën ka qenë në Kampionatin Botëror të vitit 2023.























