Osmani pret në takim Prattipati-n, temë edhe partneriteti strategjik
Naser Mekolli /RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për vizitën e saj të fundit në SHBA, takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane dhe zhvillimet e fundit në vend.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka shprehur mirënjohje për ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ajo ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm në këtë drejtim.
Presidentja ka veçuar edhe takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ku, sipas saj, është diskutuar për avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Osmani ka ritheksuar rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO, duke nënvizuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus në përmbylljen e proceseve kushtetuese dhe konsolidimin institucional.
Duke folur për situatën në veri, Osmani ka theksuar përmirësimet në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke iu referuar raporteve të fundit të Policisë së Kosovës për vitin 2025, të cilat, sipas saj, konfirmojnë një situatë më të qetë dhe më të sigurt për qytetarët në atë pjesë të vendit.























